Aktorja turke Pelin Karahan, e njohur për rolin e Mihrimah Sulltan në serialin e famshëm “Sulejmani i Madhërishëm”, ka bërë një rrëfim të veçantë për vite më parë, duke zbuluar se fillimisht e kishte refuzuar ofertën për t’u bërë pjesë e këtij produksioni.
Aktorja, e cila u bë e njohur edhe përmes serialit “Kavak Yelleri”, tregoi se vendimi i saj i parë lidhej me qëndrimin e bashkëshortit të atëhershëm, i cili nuk dëshironte që ajo të vazhdonte karrierën si aktore.
Në një intervistë të fundit, Karahan pranoi se më vonë e kishte kuptuar se kishte bërë një gabim duke refuzuar rolin e Mihrimah Sulltan. Megjithatë, ajo ndryshoi mendje dhe vendosi ta pranonte ofertën, duke synuar të fitonte pavarësinë e saj ekonomike.
“Kur më ofruan rolin e Mihrimah Sulltanit te ‘Sulejmani i Madhërishëm’, fillimisht thashë se nuk do ta pranoja. Në martesën time të parë, bashkëshorti nuk dëshironte shumë që unë të isha aktore”, tregoi ajo.
Karahan shpjegoi se për të ishte e rëndësishme të mos varej financiarisht nga një person tjetër dhe të ndërtonte të ardhmen e saj përmes punës.
“Kur u divorcova, në sezonin e dytë të serialit, thashë me vete: ‘Fatmirësisht kam një punë, fatmirësisht fitoj paratë e mia dhe nuk jam e varur nga një burrë’”, u shpreh aktorja.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e miqësive që krijoi gjatë xhirimeve, duke pranuar se mbështetja e njerëzve pranë saj mund ta ketë ndihmuar të largohej nga ajo martesë.
Roli në serialin që u transmetua nga viti 2011 deri në vitin 2014 rezultoi një pikë kthese për karrierën dhe jetën personale të aktores, e cila mbetet e lidhur me personazhin që e bëri të njohur për një audiencë të gjerë.
Ndërkohë, çfarë ndodhi me Mihrimahun e vogël?
Seriali “Sulejmani i Madhërishëm”, ku interpretonin edhe Meryem Uzerli, Halit Ergenç, Nur Fettahoğlu dhe Okan Yalabık, solli në ekran edhe versionin fëmijë të Mihrimah Sulltanit, të interpretuar nga Melis Mutluç.
Aktorja e vogël, e cila fitoi simpatinë e publikut me interpretimin e saj, ka ndryshuar shumë ndër vite. Mutluç e nisi karrierën e aktrimit në moshën pesëvjeçare, por më pas vendosi të largohej nga bota e aktrimit për t’iu përkushtuar arsimimit.
