Një njoftim. Një mesazh. Një video në TikTok. Pastaj edhe një tjetër… dhe papritur kanë kaluar 30 minuta. Nëse e keni gjetur veten duke hapur telefonin pa pasur asnjë arsye konkrete, nuk jeni të vetmit.
Në një kohë kur telefoni është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë të shkëputesh prej tij duket më e vështirë se kurrë. Por ndoshta zgjidhja nuk është të bëni një “detox” ekstrem dixhital apo të zhdukeni për ditë të tëra nga rrjetet sociale.
Një trend i ri lifestyle, i njohur si “dopamine menu”, propozon diçka shumë më të thjeshtë: të krijoni një listë me gjëra që ju bëjnë të ndiheni mirë dhe t’i keni gati për ato momente kur dora shkon automatikisht te telefoni.
Mendoni për të si një menu personale kënaqësish. Ju zgjidhni çfarë “porosisni”, në varësi të kohës, energjisë dhe humorit.
Çfarë ka në “menunë” tuaj?
Për fillim, gjërat e vogla.
Këtu futen aktivitetet që mund t’i bëni për pak minuta, pa shumë përgatitje.
Një shëtitje e shkurtër, një filxhan çaj, kënga juaj e preferuar, pak kërcim në shtëpi apo disa minuta në ajër të pastër.

Janë ato momente të vogla që zakonisht i zëvendësojmë me një “scroll” të shpejtë, por që mund të na ndryshojnë humorin po aq lehtë.
Më pas vjen “pjata kryesore”.
Këtu bëhet fjalë për aktivitete që kërkojnë pak më shumë kohë dhe përqendrim. Leximi i një libri, gatimi, palestra, piktura, shkrimi apo mësimi i një aftësie të re janë disa prej alternativave.

Qëllimi është të gjeni diçka që ju pëlqen vërtet dhe që ju bën të harroni për pak kohë nevojën për të kontrolluar telefonin.
Dhe sigurisht, nuk mund të mungojë “ëmbëlsira”.
Kjo është pjesa më e këndshme e menusë: aktivitetet që lidhen me relaksin dhe kënaqësinë. Një film i preferuar, një album i dëgjuar nga fillimi në fund, një manikyr, një dush i gjatë apo një telefonatë me dikë që doni.

Po, edhe teknologjia mund të jetë pjesë e kësaj liste. Sepse ideja nuk është të eliminoni telefonin nga jeta juaj, por të mos e përdorni atë si përgjigjen automatike sa herë që mërziteni, lodheni apo keni disa minuta bosh.
Në fund, “menuja e dopaminës” nuk është një tjetër rregull që duhet ta ndiqni me përpikëri. Është thjesht një mënyrë për t’i kujtuar vetes se kënaqësia nuk vjen vetëm nga një ekran.
Ndoshta herën tjetër që do ta kapni telefonin pa arsye, mjafton të ndaloni për pak dhe të pyesni veten: Çfarë tjetër mund të bëj tani që do të më bëjë të ndihem mirë?
