Kompania “Neranxi” ka 30 vite që zhvillon aktivitetin e saj në importin, prodhimin dhe përpunimin e lëndëve të para të industrisë ushqimore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Si një shembull i shkëlqyer se si një kompani familjare drejton sipërmarrjen me po aq dashuri siç menaxhon familjen, Kompania Neranxi ka marrë që në nisje të aktivitetit të saj e deri më sot, të gjithë shpërblimin e punës dhe sacrificës, nga klientët e saj, të cilët markën Neranxi e kanë gjithmonë zgjedhjen e tyre të parë. Nëse kthejmë kokën pas, sot pas 30 vitesh, gjithçka ka ndryshuar, është modernizuar, tashmë ecet me hapin e kohës. Por nëse ka diçka që ka mbetur e njëjtë, ajo është dëshira e familjes për t’i shërbyer klientit me produkte dhe lëndë të para të cilësisë maksimale. Vizioni për një të nesërme më të mirë se e sotmja dhe dëshira për të bërë gjithnjë punë akoma më të mira, gjithashtu nuk kanë ndryshuar. Kompania Neranxi ka synuar gjithmonë objektiva të mëdha, të cilat shpesh dukeshin si misione të pamundura, në një Shqipëri me kaq probleme dhe ku fenomeni i konkurrencës së pandershme dhe i korrupsionit, mbetet i pazgjidhur edhe sot.
Përcaktimi i misionit dhe vlerave, janë themelet e një kompanie, mbi të cilat ajo ndërton gjithë rrugëtimin e saj. Këto dy aspekte, përcaktojnë identitetin e saj, si dhe objektivat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Misioni i markës Neranxi ka të bëjë vetëm dhe ekskluzivisht me konsumatorin dhe ky mision ka qenë i tillë që në ditët e para të rrugëtimit të saj. “Neranxi” nuk ka dashur asnjëherë që të konceptohej si një dyqan që hap qepenat në mëngjes dhe i mbyll në darkë, për të bërë më pas bilancin se sa u fitua sot. Neranxi nuk ka dashur dhe aspiruar asnjëherë që t’i qaset klientit si një kompani që shet. Misioni i tij ka qenë shumë më tepër se kaq. Kompania Neranxi synon që nëpërmjet aktivitetit të saj, të promovojë një jetë të shëndetshme, të edukojë kulturë të ushqyeri që siguron një jetë të gjatë dhe pa sëmundje, duke besuar fort se cilësia e jetës fillon dhe mbaron në tavolinë. Kjo ka qenë arsyeja që në Kompaninë Neranxi punojnë kaq shumë specialistë të fushave të ndryshme duke filluar me ata të kulinarisë (shefa kuzhine, pasticierë, barmanë etj), specialistë të nutricionit, shkencëtarë, biologë, kimistë etj. Gjithçka në funksion të këtij misioni të madh.
Kompania siguron standardet HACCP dhe IFS të cilat përfaqësojnë kriteret e njohura nga zinxhirët kryesorë evropianë dhe ndërkombëtarë të shpërndarjes së ushqimit. Kontrolli i përpiktë dhe menaxhimi i përgjithshëm i lëndëve të para, furnitorëve, proceseve dhe produkteve të gatshme janë baza e evolucionit të kompanisë dhe pritshmëritë e klientëve më të vëmendshëm.
Kompania “Neranxi” ka një rrjet dyqanesh shumice dhe pakice Organic Market në të katër anët e Shqipërisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, duke ndërtuar kështu zinxhirin e pikave të shitjes sipas modelit amerikan, ku networku është shumë i rëndësishëm jo vetëm në termat e fitimit, por pikë së pari për konsolidimin e imazhit, duke sjellë në vemendjen e të gjithë sipërmarrësve, një hallkë shumë të rëndësishme të një biznesi, siç është strategjia e shitjes. Nuk mjafton të sjellësh produkte të mira nga e gjithë bota, nuk mjafton t’i përpunosh dhe paketosh me cilësi ato, por një investim serioz duhet bërë që këto produkte të shiten sipas disa standarteve po kaq të larta dhe “Neranxi” e ka realizuar me sukses duke konsoliduar markën e saj në tregun shqiptar dhe rolin e liderit në fushën ku operon, brenda dhe jashtë kufinjve. Një specifikë e dyqaneve Neranxi, është se krahas produkteve të paketuara, konsumatori mund të gjejë edhe produkte të hapura, ku ai mund ta shohë dhe ta provojë atë para se të vendosë ta blejë.
“Unë luftoj për emër, jo për para!”, është një nga shprehjet që punonjësit e Kompanisë Neranxi e dëgjojnë më së shumti nga Presidenti i kësaj Kompanie, Z. Nikollaq Neranxi. Sepse në fakt aty është zanafilla e suksesit, nëse lartëson markën, suksesi financiar vjen më pas.