Një ilaç eksperimental me bazë marihuane po jep rezultate premtuese në lehtësimin e dhimbjes kronike të shpinës. Në një studim të fundit me 800 pacientë, ekstrakti i kanabisit uli ndjeshëm dhimbjen dhe përmirësoi funksionin fizik – pa efektet anësore serioze që shoqërojnë zakonisht opioidët.
Eksperimenti, i udhëhequr nga Dr. Matthias Karst, vjen nga një kompani gjermane farmaceutike dhe konsiderohet si një nga provat më të forta për vetitë terapeutike të marihuanës, e cila në shumë vende ende mbetet e paligjshme për përdorim mjekësor.
Pas 12 javësh, pacientët që kishin marrë ilaçin raportuan një ulje të dhimbjes me gati dy pikë në një shkallë prej 11 pikësh, krahasuar me 1,4 pikë tek ata që kishin marrë placebo. Ata që morën ilaçin gjithashtu raportuan përmirësime të gjumit dhe funksioneve fizike. Pacientët që vazhduan me fazën e zgjatur gjashtëmujore vazhduan të ndienin ulje të dhimbjes. Efektet anësore përfshinin marramendje, dhimbje koke, lodhje dhe nauze, duke bërë që mbi 17 për qind e pjesëmarrësve ta ndërprisnin trajtimin para kohe. Studiuesit thanë se shkalla e ndërprerjes së trajtimit ishte më e ulët sesa raportohet zakonisht tek opioidët, të cilët mund të shkaktojnë kapsllëk, nauze, përgjumje dhe rrezik varësie.
“Vertanikal” ka dorëzuar kërkesën për ilaçin e tij tek rregullatorët evropianë. Në SHBA, kompania thotë se po punon ngushtë me rregullatorët për të hartuar një studim që do të mbështeste miratimin e Administratës Federale të Ushqimit dhe Barnave. Kanabisi vazhdon të jetë i paligjshëm sipas ligjit federal në SHBA, pavarësisht se shumica e shteteve e kanë bërë të disponueshëm për përdorim mjekë sor ose rekreativ. Autoritetet shëndetësore në Kanada dhe Evropë më parë kanë miratuar një formë farmaceutike të kanabisit për disa lloje dhimbjesh, përfshirë dhimbjen nervore nga skleroza multiple. Në SHBA, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar një ilaç që përmban CBD, një nga shumë kimikatet jo-psikoaktive që gjenden në kanabis, për trajtimin e krizave të rralla tek fëmijët me epilepsi.
Ndryshe nga ai ilaç, i njohur si Epidiolex, formula e re e kanabisit nga prodhuesi “Vertanikal” përmban THC, përbërësin aktiv të marihuanës që shkakton efekte psikoaktive tek përdoruesit. Por nivelet e kësaj kimikate janë shumë të ulëta, në thelb mikrodoza krahasuar me atë që gjendet në çokollata, karamele ose produkte të tjera që shiten në dyqanet e marihuanës në SHBA. Kompania deklaroi se pacientët në studim nuk treguan asnjë shenjë abuzimi me drogën, varësie apo krize abstinence. “Vertanikal” po kërkon miratim për një grup të madh pacientësh; ata që vuajnë nga dhimbjet e pjesës së poshtme të shpinës, një gjendje kronike që prek miliona njerëz dhe që ka pak trajtime të provuara.
