Pas një kohe të gjatë larg skenës muzikore, Flori Mumajesi po përgatitet për një rikthim të madh që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut shqiptar.
Sipas gazetarit Elton Tozaj, artisti është duke punuar prej më shumë se një viti për një album të ri, i cili pritet të publikohet gjatë muajve shtator ose tetor. Projekti do të përfshijë materiale të reja, por edhe versionime apo ripunime të disa këngëve të mëparshme të tij.
Në këtë album do të rikthehen edhe këngë të njohura si “Hëna”, në bashkëpunim me Ylli Limanin, si dhe “Jeta” me Elvana Gjatën, të cilat kanë pasur më herët një sukses të madh dhe vazhdojnë të jenë të pëlqyera nga publiku.
Ajo që ka ngjallur më shumë interes është mundësia e një bashkëpunimi të ri mes Flori Mumajesit dhe Elvana Gjatës. Sipas raportimeve, janë zhvilluar biseda për një projekt të ri muzikor mes tyre, i cili mund të shënojë një rikthim të rëndësishëm artistik.
Fansat e kanë pritur me entuziazëm këtë lajm, duke e konsideruar Flori Mumajesin një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare. Rikthimi i tij shihet si një moment i veçantë që mund të sjellë sërish në qendër të vëmendjes skenën muzikore.
